SHBA kërkon vlerësim të ri për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka informuar Kongresin amerikan për fillimin e një studimi për të mësuar nëse lehtësimi i sanksioneve kundër Iranit, parashikuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, korrespondonte me interesin kombëtar të SHBA-së.

Ky njoftim erdhi ndërkohë që Shtëpia e Bardhë vërtetoi se Irani kishte respektuar angazhimet në kuadër të marrëveshjes së negociuar nga ish-presidenti, Barack Obama.

Bëhet fjalë për certifikimin e parë të kryer nga administrata Trump. Ky certifikim duhet t’i komunikohet Kongresit çdo 90 ditë.

“Irani mbetet një prej vendeve kryesore që mbështet terrorizmin”, shkruan Tillerson në një letër për presidentin republikan të Dhomës së përfaqësuesve, Paul Ryan.

Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi një shqyrtim të ri të marrëveshjes së vitit 2015, kryer nga agjenci të ndryshme qeveritare nën drejtimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, për të vlerësuar nëse heqja e sanksioneve është e dobishme për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Konsideruar si një prej sukseseve diplomatike të Obamës, marrëveshja e korrikut 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha, që hyri në fuqi në janar 2016, është destinuar për të garantuar natyrën paqësore të programit bërthamor iranian në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.