Erdogan – BE-së: Nëse nuk hapeni kapituj të rinj të bisedimeve për anëtarësim, lamtumirë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë sot se Bashkimi Evropian duhet patjetër ta hapë një kapitull të ri në procesin e anëtarësimit të Turqisë në bllok, përndryshe Ankaraja nuk ka se për çfarë të diskutojë me bllokun dhe se do t’i thotë lamtumirë atij.

Komentet e tij vijnë pasi komisionari evropian Johannes Hahn, i cili i mbikëqyr bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE, tha për Reuters se Turqia e Erdoganit ia ka kthyer shpinën anëtarësimit në bllok.

“Nga tash e tutje nuk ka opsion tjetër përveç hapjes së kapitujve që s’i keni hapur akoma. Nëse nuk i hapni, atëherë lamtumirë,” ka thënë Erdogan.