Diskutohet për implementimin e Strategjisë Kundër Narkotikëve

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i grupit punues për implementimin e Strategjisë Kundër Narkotikëve.

Në këtë takim u diskutua lidhur me raportet e tremujorit të parë të këtij viti, për të gjitha institucionet të cilat janë të përfshira në përmbushjen e objektivave të përgjithshme të Strategjisë Kundër Narkotikëve.

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, njëherazi Koordinator Nacional  Kundër Narkotikëve, Behar Selimi, falënderoi të pranishmit për punën e bërë deri më tani, në veçanti falënderoi organet e ndjekjes penale, me theks të veçantë Policinë e Kosovës për punën që janë duke e bërë në luftimin e kësaj dukurie negative.

Grupi punues vlerësoi se luftimi i kësaj dukurie është i kënaqshëm por lënë për të dëshiruar përpjekjet për parandalimin dhe trajtimin e përdoruesve të drogave.

Zëvendësministri i MPB-së,  Behar Selimi kërkoi nga anëtarët e grupit punues që të kenë një qasje integruese dhe koordinuese në luftimin e narkotikëve.

Si objektiva të rëndësishme të aktiviteteve për periudhën e ardhshme mbeten themelimi i grupit punues për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare dhe Planin e veprimit 2017-2022 si dhe të punohet në finalizimin e draft Ligjit për barna narkotike, substanca psikotrope dhe precursorë 02/L-128.